Një zbulim unik arkeologjik me paraqitjen e perëndeshës Demetra, i bërë në lokalitetin Gradishtë pranë Mlado Nagoriçanit, konfirmon më tej ekzistencën e një shenjtëroreje rituale në vendbanimin antik të shekujve IV dhe III para erës sonë, njoftoi arkeologu Dejan Gjorgjievski nga Muzeu i Kumanovës pas përfundimit të gërmimeve të këtij viti.
“Karakteri ritual i hapësirës u konfirmua nga zbulimi i një pitosi, gryka e të cilit ka dekorime me gjurmë unazash dhe paraqet një hyjni femërore – Demetrën(?), e cila mban bririn e bollëkut në njërën dorë, ndërsa me tjetrën kryen një libacion (flijim të lëngshëm) me një kantharos mbi një trekëmbësh,” tha Gjorgjievski.
Gërmimet e këtij viti u përqendruan në sektorin “Tarraca e Poshtme”, ku në vitet e mëparshme ishin zbuluar struktura shkëmbore, tuma guri, enë votive, gropa rituale dhe një enë për ujë, duke treguar se aty zhvilloheshin rite fetare.
Përveç pitosit unik, arkeologët zbuluan edhe muret e një ndërtese ku u gjetën fragmente të shumta pitosash dhe enësh të tjera magazinimi.
Në jug të kësaj zone u zbulua një mur rrethues që ndante hapësirën rituale nga pjesa tjetër e vendbanimit.
Pranë tij u zbulua edhe një dhomë më e vogël, e cila sipas arkeologëve ka shërbyer për simpoziume ose vakte rituale.
Aty u gjetën sasi të mëdha eshtrash kafshësh, kryesisht të derrave të egër dhe dhive, si dhe qeramikë tavoline e pasur nga shekujt IV dhe III para erës sonë.
Mes zbulimeve ka edhe shumë objekte qeramike të importuara, si kantharosë dhe gutusë të tipit West Slope, enë me lustër të zezë, amfora, hidria, llamba dhe figurina qeramike.
Veçanërisht të rëndësishme janë mbetjet e një shtrati luksoz të zbukuruar, përfshirë një këmbë të profilizuar dhe një aplikacion me paraqitjen e një hyjnie që mban një enë rituale dhe shtrihet mbi një klinë.
“Besojmë se edhe kjo dhomë lidhej me ritualet që zhvilloheshin në temenos – ndoshta për vakte rituale, ngjashëm me shenjtëroren e Demetrës dhe Persefonës në Korint,” tha Gjorgjievski.
Sipas tij, sasia e madhe e qeramikës së importuar dhe mbetjet e mobilieve luksoze, për të cilat ekzistojnë shumë pak paralele jashtë varreve të pasura në Pela dhe varreve mbretërore në Ajgaj (Vergina), konfirmojnë edhe një herë nivelin e lartë të zhvillimit të këtij vendbanimi, tregtinë e zhvilluar dhe integrimin e plotë në rrjedhat qytetëruese të Mbretërisë së Maqedonisë gjatë shekujve IV dhe III para erës sonë.
“Gërmimet e ardhshme do të përqendrohen në hulumtimin e mëtejshëm të ndërtesave të zbuluara këtë vit dhe në ekzistencën e mundshme të një tempulli në këtë pjesë të lokalitetit,” shtoi arkeologu.
Gërmimet u realizuan në kuadër të Programit Vjetor të Punës së Muzeut të Kumanovës, me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

