Në Kumanovo do të fillojë pas mesnate aksioni i parë për dezinfektim tokësor kundër mushkonjave në disa zona të qytetit dhe vendbanimeve përreth.
Aksioni do të zgjasë deri në orët e hershme të mëngjesit dhe do të përfshijë zonat përgjatë lumit Kumanovka, parkun e qytetit, lagje të ndryshme dhe pjesën qendrore të qytetit.
Ndër lokacionet e përfshira janë edhe varrezat e qytetit, të cilat konsiderohen si një nga vendet me më shumë mushkonja, si dhe hapësira përreth Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës.
Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se trajtimi do të realizohet me preparatin “Citrol ULV”, ndërsa në rast të motit të keq aksioni do të shtyhet.

