40-vjeçari në Kumanovë voziste pa provim të dhënë, policia e arrestoi

Сподели со своите пријатели

Një 40-vjeçar nga Kumanova është arrestuar dje pasi policia ka konstatuar se ai drejtonte automjet pa e pasur të dhënë provimin e shoferit.

“Më 19.06.2026 në ora 09:05 në bulevardin ‘Treta Makedonska Udarna Brigada’ në Kumanovë, zyrtarët policorë të SPB Kumanovë e privuan nga liria B.A. (40) nga Kumanova”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Siç sqarojnë nga policia, gjatë një kontrolli në komunikacion, zyrtarët policorë ndaluan një veturë të tipit „Renault“ me targa të Kumanovës, të drejtuar nga B.A., dhe pas kontrolleve të kryera u konstatua se ai e drejtonte automjetin pa e pasur të dhënë provimin e shoferit.

“Me urdhër të prokurorit publik ai është dërguar në stacion policor, ndërsa automjeti është konfiskuar”, shtojnë nga SPB Kumanovë.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj B.A. do të parashtrohet kallëzimi përkatës.