Një djalë 13-vjeçar nga fshati Çerkez i Kumanovës humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident trafiku mes një trotineti elektrik dhe një automjeti të tipit Mercedes.
Sipas informacioneve të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, aksidenti ndodhi më 28 maj rreth orës 21:10 në rrugën rajonale Kumanovë–Shkup, në fshatin Çerkez.
Në aksident u përfshinë një Mercedes me targa të Kumanovës, i drejtuar nga F.S. (24) nga Kumanova, dhe një trotinet elektrik që drejtohej nga 13-vjeçari.
Pas aksidentit, i mituri u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Shoferi i automjetit u arrestua në orën 21:20, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendngjarje është kryer ekspertizë nga prokurori publik dhe ekipi hetimor i policisë së Kumanovës.

