Pas përfundimit të hetimit, Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë sot ngriti aktakuzë kundër një 25-vjeçari nga Nagoriçani i Vjetër, i dyshuar për kryerjen e katër veprave penale të vrasjes sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 4 të Kodit Penal, si dhe dy tentim-vrasjeve të së njëjtës formë të kualifikuar.
Për shkak se me dashje ka privuar nga jeta më shumë persona, sipas nenit 123 paragrafi 3 të Kodit Penal, ai përballet me dënim me burg prej së paku 10 vitesh ose burgim të përjetshëm.
Sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, veprat i ka kryer nga motive të ulëta, përkatësisht me qëllim që të kënaqte epshet e tij seksuale ndaj trupave të grave të vdekura.
Kështu, natën ndërmjet 05.01.2025 dhe 06.01.2025 në fshatin Kleçovcë, ai me dashje ia mori jetën një gruaje të moshuar dhe të pafuqishme. Ai hyri në shtëpinë e saj dhe, derisa ajo flinte në shtrat, e sulmoi fizikisht dhe filloi ta mbyste me forcë. Nga thyerjet dhe lëndimet e shumta që ia pamundësuan frymëmarrjen, gruaja ndërroi jetë.
Në një periudhë të pacaktuar saktësisht ndërmjet 05.06.2025 dhe 07.06.2025 në fshatin Dragomancë, në mënyrë të ngjashme ai me dashje vrau edhe një grua tjetër.
Rasti i tretë është evidentuar më 22.07.2025 në fshatin Çellopek, ku ai tentoi të vriste një grua e cila arriti ta frikësonte duke thirrur djalin e saj, pas së cilës i akuzuari u largua.
Në orët e mbrëmjes ndërmjet 17.01.2026 dhe 18.01.2026 në fshatin Nagoriçan i Vjetër, i akuzuari me dashje vrau një grua që ishte më e re në moshë se viktimat e mëparshme, por për të cilën gjithashtu e dinte se ishte vetëm. Mënyra e kryerjes së veprës ishte e ngjashme me atë të viktimave të mëparshme.
Në fshatin Çellopek, në orët e mbrëmjes ndërmjet 05.02.2026 dhe 06.02.2026, i akuzuari vrau edhe një viktimë tjetër të moshuar dhe të pafuqishme.
Rasti i fundit i evidentuar është më 09.02.2026 në fshatin Çellopek, ku me dashje tentoi të vriste edhe një grua tjetër, por u frikësua nga një zë që dëgjoi dhe u largua para se ta realizonte qëllimin e tij.
Prokurori publik i paraqiti gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Kumanovë edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të caktuar më herët ndaj të akuzuarit.

