Këshilli i Komunës së Kumanovës nesër (16 korrik) do ta mbajë mbledhjen e tij të 15-të, e cila do të fillojë në orën 12:00 në sallën rrethore të ndërtesës së ish-Komitetit.
Para këshilltarëve do të jenë gjithsej 13 pika të rendit të ditës, ku dominojnë propozim-vendimet për anulimin dhe rishpalljen e thirrjeve publike për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës të disa ndërmarrjeve publike.
Bëhet fjalë për ndërmarrjet publike “Vodovod”, “Çistota i Zelenilo”, “Pazarishta”, “Kumanovo Parking”, “Kumanovo Gas” dhe “Kumanovo Plan”, për të cilat fillimisht do të shqyrtohen vendimet për anulimin e thirrjeve të mëparshme publike, e më pas edhe vendimet për rishpalljen e tyre.
Në rend dite është edhe Propozim-vendimi për dhënien e pëlqimit ndaj Propozim-planit vjetor të punësimit për vitin 2027 të Institucionit Publik Komunal Shtëpia për të Moshuar “Zafir Sajto” në Kumanovë.

