Klubi Atletik Kumanovë u rikthye në majën e atletikës maqedonase duke fituar Kupën e Seniorëve në garën e mbajtur më 16 dhe 17 maj në Arena Kombëtare Toše Proeski.
Me gjithsej 1.030 pikë të fituara, klubi nga Kumanova triumfoi bindshëm në renditjen e përgjithshme, ndërsa asnjë klub tjetër nuk arriti të kalojë kufirin prej 800 pikësh.
Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për klubin, i cili tashmë për 12 sezone radhazi është ngjitur në podiumin e Kupës së Seniorëve. Gjithashtu, është i vetmi klub në vend që gjatë gjashtë viteve të fundit ka pasur vazhdimisht ekipet e meshkujve dhe femrave ndër tre më të mirat.
Gjatë 12 sezoneve të fundit, atletët e Kumanovës kanë fituar nëntë herë vendin e parë me njërën nga ekipet, ndërsa në katër raste kanë fituar të dy trofetë, në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.
Në kupën e këtij viti, ekipi i meshkujve fitoi bindshëm vendin e parë, ndërsa ai i femrave përfundoi në pozitën e dytë. Pas katër titujve radhazi, atletet e Kumanovës mbetën pa trofe për vetëm tre pikë, edhe pse garuan me përbërje të reduktuar.
Nga klubi theksojnë se ekipi nuk ishte i kompletuar si vitin e kaluar dhe se pati disa gabime individuale, por pavarësisht kësaj janë shumë të kënaqur me rezultatet dhe renditjen e arritur. Synimi i radhës mbetet përmirësimi i rekordeve personale në garat e ardhshme.
Vlerë të veçantë këtij suksesi i jep fakti se përbërja e klubit përbëhet ekskluzivisht nga atletë dhe atlete nga Kumanova, të formuar brenda vetë klubit. Sipas drejtuesve, kjo e bën ekipin të vetmin në vend që gjatë dekadës së fundit ka arritur podiumin me sportistë të zhvilluar plotësisht në strukturat e veta.
Klubi uroi të gjithë garuesit e tij, si dhe klubet e tjera pjesëmarrëse në Kupën e Seniorëve, duke u dëshiruar suksese të reja sportive gjatë vazhdimit të sezonit.

