Gjykata Themelore Kumanovë ka urdhëruar largimin nga shtëpia të një banori të Kumanovës, i cili sipas policisë për një periudhë të gjatë ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kërcënuar gruan e vëllait të tij.
Ndërkohë, policia ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj tij.
“SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal kundër N.L. (61) nga Kumanova për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘rrezikim i sigurisë’ sipas nenit 144 të Kodit Penal”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, N.L. për një periudhë të gjatë ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj S.L., gruas së vëllait të tij, me të cilën jeton në të njëjtën shtëpi, duke e kërcënuar vazhdimisht se do ta vrasë atë dhe anëtarët e tjerë të familjes.
“Herën e fundit, më 18 maj 2026 rreth orës 16:00 në shtëpinë familjare, N.L. përsëri i ka bërë kërcënime për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me propozim të SPB Kumanovë, Gjykata Themelore Kumanovë ka nxjerrë vendim për masë urgjente të largimit nga shtëpia në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

