Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë, në bashkëpunim me Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve pranë Komuna e Kumanovës, realizoi me sukses fushatën parandaluese “Festoje suksesin në mënyrë të sigurt” gjatë mbrëmjeve të maturës në të gjitha shkollat e mesme të komunës.
Në kuadër të fushatës, përfaqësuesit e sektorit dhe anëtarët e këshillit përgatitën një surprizë për maturantët.
Ata i pritën të rinjtë para restoranteve ku mbaheshin festimet dhe u shpërndanë kartela me kode QR që përmbanin urime për përfundimin me sukses të shkollimit, si dhe këshilla për festim të sigurt dhe të përgjegjshëm.
Sipas organizatorëve, iniciativa u prit pozitivisht nga maturantët, me të cilët gjatë katër viteve të fundit është zhvilluar bashkëpunim i vazhdueshëm përmes punëtorive, tribunave, ligjëratave edukative dhe aktiviteteve sportive e kulturore.
Reagime pozitive pati edhe nga personeli arsimor, i cili përshëndeti iniciativën dhe praninë e policisë pranë objekteve hotelierike.
“Qëllimi ishte të kontribuonim për një festim të sigurt dhe të parandalonim incidente të padëshiruara. Me kënaqësi mund të konstatojmë se të gjitha festat e maturës kaluan në rendin më të mirë, pa prishje të rendit dhe qetësisë publike, pa incidente dhe pa shkelje në fushën e sigurisë në komunikacion”, deklaroi Lile Mladenovska.
Nga SPB Kumanovë vlerësojnë se suksesi i fushatës është rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërmjet institucioneve, shkollave, prindërve dhe vetë maturantëve, të cilët treguan përgjegjësi dhe pjekuri gjatë shënimit të përfundimit të arsimit të mesëm.

