Maksim Dimitrievski deklaroi se po realizohen intensivisht projektet infrastrukturore të financuara nga e ashtuquajtura kredi hungareze në Kumanovo.
Po vazhdojnë edhe aktivitetet për rindërtimin dhe funksionalizimin e Sallës Sportive në Kumanovë, projekt që gjithashtu financohet përmes programit qeveritar.
Sipas Dimitrievskit, aktualisht po realizohet faza e ngrohjes dhe ftohjes në Sallën Sportive, ndërsa projekti është përfunduar mbi 50 për qind.
“Sa i përket fazës së ngrohjes dhe ftohjes në sallën sportive, procedura është në vazhdim dhe mbi 50 për qind tashmë janë përfunduar. Kjo është në përputhje me aplikimin për mjetet nga kredia hungareze dhe rregullimin e hapësirës përreth”, deklaroi Dimitrievski.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt të madh që nuk mund të përfundojë brenda një viti, por se qëllimi i pushtetit lokal është që objekti të vihet plotësisht në funksion.
“Ky është një projekt i madh që nuk mund të përfundojë për një vit, por synimi ynë është që së bashku me Këshillin ta funksionalizojmë plotësisht këtë objekt”, tha kryetari.
Dimitrievski shtoi se pas përfundimit të rindërtimit, sfida tjetër e madhe do të jetë mirëmbajtja e sallës sportive.
“Momenti i dytë dhe më i vështirë do të jetë mënyra e mirëmbajtjes së objektit. Objekte të tilla sportive janë shumë të kushtueshme për mirëmbajtje”, shtoi ai.
Lidhur me projektet e financuara përmes programit qeveritar dhe mjeteve nga kredia hungareze, Dimitrievski tha se bëhet fjalë për rreth 30 projekte infrastrukturore në qytet.
“Mbi 50 për qind e të gjitha aplikimeve, pra rreth 30 projekte infrastrukturore, tashmë janë futur në procedurë pune, ndërsa gjysma e tyre tashmë po realizohen”, deklaroi ai.
Siç sqaroi, një pjesë e projekteve do të fillojnë pas sigurimit të mjeteve shtesë përmes ribalancimit të buxhetit shtetëror, me qëllim që kompanitë realizuese të mos përballen me probleme financiare.
Kryetari vlerësoi se dinamika e punimeve është e kënaqshme dhe paralajmëroi përpjekje për sigurimin e mjeteve edhe më të mëdha vitin e ardhshëm.
Njëkohësisht, ai u bëri thirrje qytetarëve që rregullisht të paguajnë detyrimet tatimore dhe komunale, duke theksuar se pikërisht ato mjete janë bazë për investime të reja dhe zhvillimin e qytetit.

