Shtëpia për të Moshuar „Zafir Sajto“ në Kumanovë do të ketë një rikonstruksion të plotë të pjesës geriatrike, në kuadër të projektit që institucioni po e realizon në partneritet me komunat e Leskovcit dhe Vranjës.
Projekti është në fazën përfundimtare të përgatitjes për implementim, ndërsa pritet që prokurimi publik për fillimin e punimeve të realizohet gjatë muajit shtator.
Drejtori i Shtëpisë „Zafir Sajto“, Aleksandar Krstevski, tha se rikonstruksioni do të përfshijë disa segmente të objektit.
„Shtëpia jonë do të ketë rikonstruksion të plotë të pjesës geriatrike, nga uji, kanalizimi, energjia elektrike, nyjet sanitare e kështu me radhë, deri te pajisjet. Kështu, ne si shtëpi për të moshuar do të fitojmë shumë në cilësinë e shërbimeve tona“, deklaroi Krstevski.
Shtëpia „Zafir Sajto“ është partnere në projekt, ndërsa partneri kryesor është një organizatë joqeveritare nga Komuna e Leskovcit. Në projekt janë përfshirë edhe Komuna e Vranjës dhe institucionet nga këto komuna, ku gjithashtu do të realizohen aktivitete që lidhen me rikonstruksionin e objekteve të mbrojtjes sociale.
Sipas Krstevskit, aktivitetet e projektit fillojnë nga 15 gushti, ndërsa shtëpia në Kumanovë aktualisht po e kompleton dokumentacionin e nevojshëm dhe po përgatitet për procedurat që lidhen me prokurimet publike.
Aktualisht në Shtëpi janë të vendosur 172 përdorues, numër i cili, sipas drejtorit, ndryshon në varësi të kapaciteteve të akomodimit dhe ndryshimeve në numrin e përdoruesve.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës, një nga sfidat më të mëdha për Shtëpinë mbetet mungesa e stafit. Sipas Krstevskit, në përputhje me planin e punësimit, institucioni ka nevojë për 27 punësime të reja.
„Ne kemi nevojë për 27 persona, por sipas normativave që kemi parë, ky numër mund të rritet. Këshilli dha dritën jeshile dhe vendimi u miratua njëzëri. I njëjti është zbatuar dhe i është dërguar ministrisë sonë kompetente. Tani presim përgjigjen e tyre, ndërsa më pas dokumentacioni i dorëzohet Ministrisë së Financave“, tha Krstevski.
Sipas tij, nevoja më e madhe është për kujdestarë, por mungojnë edhe profile të tjera të rëndësishme për kujdesin ndaj përdoruesve, si punonjës socialë, terapistë okupacionalë, fizioterapistë, infermierë dhe staf tjetër profesional.
„Më së shumti kemi nevojë për kujdestare, por gjithashtu nuk kemi punonjës social, nuk kemi terapist okupacional, i cili është shumë i rëndësishëm për përdoruesit tanë, së bashku me fizioterapistin, për t’i aftësuar, pra që të gjithë përdoruesit tanë të mund të kenë funksione vitale, domethënë të ecin vetë, të lëvizin dhe të ushqehen. Pra, na nevojiten shumë, shumë kategori punonjësish, por mendoj se terapisti okupacional, sociologu, punonjësi social, infermierët dhe kujdestaret do të na nevojiten shumë“, shtoi Krstevski.
Ai thekson se puna në Shtëpi është e vazhdueshme dhe se të punësuarit përballen me një vëllim të madh detyrash, duke pasur parasysh se institucioni funksionon 24 orë në ditë.
„Është shumë e vështirë. Të punësuarit tanë bëjnë përpjekje mbinjerëzore. Shtëpia është në shërbim 24 orë. Të gjithë të punësuarit japin mbi 100 për qind të angazhimit të tyre në punë, ndihmojnë njëri-tjetrin, vetëm që përdoruesit tanë të marrin shërbim më cilësor“, tha Krstevski.
Problem shtesë është edhe kujdesi shëndetësor për përdoruesit. Shtëpia ka marrëveshje me një ordinancë private shëndetësore, mjeku i së cilës vjen dy herë në javë, por sipas drejtorit, me ndryshimet në legjislacion, shërbimet shëndetësore nuk janë më pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale në të njëjtën mënyrë si më parë.
Për këtë arsye, Shtëpia paralajmëron një iniciativë për sigurimin e një mjeku, së bashku me Shtëpinë për të Moshuar nga Prilepi.
Me rikonstruksionin e pjesës geriatrike dhe forcimin e planifikuar të kapaciteteve të stafit, në Shtëpi presin krijimin e kushteve më të mira për punë dhe ofrimin e shërbimeve dhe kujdesit më cilësor për përdoruesit.

