Një 57-vjeçar nga rajoni i Kumanovës ka pësuar lëndime të rënda pasi humbi kontrollin mbi motoçikletën e tij gjatë përpjekjes për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me një kamion.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti ka ndodhur më 29 maj 2026 rreth orës 17:40 në fshatin Kojnarja e Epërme, në kryqëzimin e rrugëve lokale që çojnë drejt lokaliteteve Belo Bërdo dhe Mllinari.
Policia njofton se I.Gj. (57) nga Kojnarja e Epërme po drejtonte një motoçikletë të markës “Kymco” me targa të Kumanovës kur tentoi të shmangte një përplasje ballore me një kamion “Iveco” me targa të Shkupit, i drejtuar nga K.T. (61) nga Kumanova. Pas manovrës së papritur, ai humbi kontrollin dhe ra jashtë rrugës.
Motoçiklisti pësoi lëndime të rënda trupore, të konfirmuara në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës.
Në vendngjarje është kryer ekspertizë nga ekipi hetimor i policisë së Kumanovës.

