Ministria e Punëve të Brendshme ka zbardhur rastin e dhunës ndaj një të miture në Kumanovë dhe ka ngritur kallëzim penal ndaj një 18-vjeçareje dhe dy vajzave të mitura.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, “SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj P.A. (18) nga fshati Llojan, Komuna e Likovës, si dhe ndaj dy të miturave të moshës 14 dhe 15 vjeç nga Kumanova, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘dhunë’ sipas nenit 386 paragrafi 3 të Kodit Penal,” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, më 13.03.2026 rreth orës 18:00, të dyshuarat e kanë thirrur një vajzë 14-vjeçare të dalë nga shtëpia e saj, pas së cilës e kanë bindur të hyjë në një hapësirë pranë Qendrës Sportive “Sokolana” në Kumanovë.
Atje fillimisht e kanë fyer dhe më pas e kanë sulmuar fizikisht, duke e incizuar të gjithë ngjarjen me telefon celular.
“Pas ushtrimit të dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e raportojë ngjarjen dhe të mos flasë për videon e incizuar, duke i thënë se në të kundërtën do t’i ndodhë diçka edhe më e keqe,” thuhet në njoftim.

