Një person ka dëmtuar përçuesit elektrikë në pronësi të EVN Maqedoni gjatë prerjes së druve në fshatin Zubovcë dje pasdite.
“Më 19.06.2026 në ora 16:46 në SPB Kumanovë, R.N. nga Kumanova, i punësuar në EVN Maqedoni KEC Kumanovë, ka raportuar se po atë ditë rreth orës 13:00 në fshatin Zubovcë të rajonit të Kumanovës janë këputur përçues elektrikë në pronësi të EVN Maqedoni”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, këqyrjen e vendit e ka kryer ekipi i SPB Kumanovë, me ç’rast është konstatuar se C.C. nga Shkupi, gjatë prerjes së druve në pronën e tij private, ka rrëzuar një pemë e cila ka dëmtuar përçuesit elektrikë.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës”, thuhet në njoftim.

