Kumanovo do të jetë nikoqire e kampit të parë zyrtar futbollistik të Real Betis Balompié Academy në Maqedoni. Kampi do të mbahet nga 19 deri më 21 qershor 2026 në MM SPORT Event Center.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Fundación Real Betis Balompié dhe organizatorit lokal MM Sport.
Klubi nga Sevilja, me traditë 115-vjeçare dhe pjesëmarrës në UEFA Champions League këtë sezon, për herë të parë sjell sistemin e tij akademik në vend.
Sipas organizatorëve, kampi nuk fokusohet vetëm te teknika futbollistike, por edhe te zhvillimi i përgjithshëm i fëmijëve. Përmes metodologjisë “La Cantera”, pjesëmarrësit do të zhvillojnë karakterin, disiplinën, forcën mendore dhe frymën sportive.
Kampi është i dedikuar për fëmijët e lindur nga viti 2012 deri në vitin 2019, të moshës nga 7 deri në 14 vjeç.
Stërvitjet do të udhëhiqen nga trajnerë zyrtarë të deleguar nga Real Betis Foundation, së bashku me trajnerë vendorë. Aktivitetet do të zhvillohen në një fushë të certifikuar nga FIFA dhe sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe kujdesit mjekësor.
Organizatorët theksojnë se projekti mbështetet në vlerat tradicionale të Real Betisit: përulësinë, punën, përkushtimin dhe integritetin.
Numri i vendeve është i kufizuar dhe aplikimet mund të bëhen në:
Ueb-faqja: MM Sport
E-mail: [email protected]
Telefon: +389 78 54 34 84
Kjo është një mundësi e rrallë për futbollistët e rinj nga Kumanova dhe e gjithë Maqedonia që të njihen nga afër me një prej sistemeve më të njohura të akademive të futbollit në Evropë.

