Doganierët në pikën kufitare Tabanoc sekuestruan 64.250 euro gjatë një tentative për futje të paligjshme të parave në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Drejtorisë Doganore, “Zyrtarët doganorë në hyrje të pikës kufitare Tabanoc penguan një tentativë për transferim të paligjshëm të 64.250 eurove, të cilat u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane me të cilin udhëtonte një shtetas grek.”
Paratë u sekuestruan, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.
“Në rastin konkret, kur u pyet nga zyrtarët doganorë nëse kishte diçka për të deklaruar, personi deklaroi 60.000 euro dhe paraqiti formularin e lëshuar gjatë hyrjes në Republikën e Serbisë. Për shkak të dyshimeve lidhur me deklarimin, zyrtarët doganorë së bashku me një zyrtar policor të Frontex-it kryen kontroll të detajuar dhe gjetën gjithsej 124.250 euro,” thuhet në njoftim.
Në përputhje me Ligjin për Operacionet Devizore, personit iu kthyen 60.000 euro, ndërsa 64.250 eurot e mbetura u sekuestruan.
Sipas Drejtorisë Doganore, gjatë këtij viti janë zbuluar gjithsej 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës, me sekuestrim të 820.675 eurove, 141.300 paundëve britanikë dhe 35.000 dollarëve australianë.

