Drejtoria Doganore e Maqedonisë ka parandaluar një tentativë për transport ilegal të gjysmë milioni eurove, të fshehura në një bunker të ndërtuar posaçërisht në një minibus në Pika Kufitare Tabanoc.
Siç bëri të ditur Boban Nikolovski, bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të valutës në historinë e institucionit, realizuar nga Sektori për Kontroll dhe Hetime përmes Departamentit për Punë Operative.
Sipas informacioneve, minibusi në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria është ndaluar gjatë hyrjes në shtet, ndërsa në të ndodheshin shtatë pasagjerë.
Automjetin e drejtonte një shtetas shqiptar me inicialet J.G., ndaj të cilit është ngritur procedurë, ndërsa Gjykata Themelore në Kumanovë tashmë ka sjellë vendim.
Në aksion morën pjesë ekipi mobil, njësia K9 dhe Shërbimi i Skanerëve Mobilë.
Dogancierët kanë vërejtur modifikime në automjet, pas së cilës është angazhuar një qen doganor që ka sinjalizuar mundësi për kontrabandë.
Dyshimet janë konfirmuar pas skanimit të minibusit, pas çka inspektorët kanë hapur hapësirën e fshehtë ku janë gjetur 14 qese transparente me gjithsej 500.000 euro.
“Aksioni u realizua shpejt dhe me efikasitet, ndërsa ekipi mobil falë përvojës së tij i vërejti menjëherë ndryshimet në automjet”, deklaroi Nikolovski, duke shtuar se çdo tentativë për transport ilegal ndërkufitar të parave të gatshme do të sanksionohet ashpër.
Valuta e sekuestruar dhe automjeti janë konfiskuar përgjithmonë, ndërsa sipas ligjit mjetet i janë dorëzuar Agjencisë për Pronë të Konfiskuar dhe më pas janë depozituar në Bankën Popullore.

